Dosja "Smart City" Kamera në Shkolla / Qarku Tiranë

Dosja "Smart City" Kamera në Shkolla · Përditësuar 27 korrik 2026

375 sy digjitalë,
20 shkolla, zero përgjigje.

Projekti "Smart City" po vendos kamera me inteligjencë artificiale në shkollat e qarkut të Tiranës. Të dhënat e nxënësve do t'i menaxhojë Policia e Shtetit, ndërsa sistemin e ndërton një kompani e huaj nën shqyrtim ndërkombëtar. Kjo dosje mbledh faktet, pyetjet e hapura dhe referencat.

375Kamera / 20 shkolla
5,000+Kamera në gjithë vendin
3,000Kamera trupi, Policia
0Kontratë e publikuar

Për prindërit dhe nxënësit

Pse kjo nuk është thjesht "më shumë siguri"

"Kamera për siguri" tingëllon si diçka e mirë, kush s'do që fëmija i vetë të jetë i sigurt? Por ky sistem specifik ka disa probleme që s'kanë të bëjnë me sigurinë, dhe që prekin drejtpërdrejt fëmijën tënd.

Pëlqimi

Fëmija nuk ka zgjedhur, as ti nuk je pyetur

Nxënësit filmohen çdo ditë, pa mundësi refuzimi. Shumica e prindërve nuk u konsultua, as u informuan përpara se kamerat të vendoseshin. Vendimi u mor për fëmijën tënd, pa pëlqimin e tyre apo tëndin.

Përjetësia

Një video e vjedhur është e përhershme

Nëse dikush vjedh fjalëkalimin tënd, ti mund ta ndryshosh. Nëse rrjedh (leaks) fytyra ose sjellja e fëmijës nga një bazë të dhënash, s'ka "reset". Ai imazh mbetet, dhe s'e di kush e ka apo ku përfundon. Edhe nëse ti e fshin, kush e ka vjedhur mund ta publikojë përsëri.

Normalizimi

Fëmijët mësohen të sillen të vetëdijshëm se janë nën vëzhgim

Pjesë e rritjes është të gabosh, të eksperimentosh, të tregosh emocione pa u ndier i gjykuar. Kur fëmija e di se çdo lëvizje regjistrohet, mëson të fshihet apo të vetëcensurohet, jo domosdoshmërisht të sillet "mirë".

Përdorimi tjetër

Sot "siguri", nesër diçka tjetër

Asnjë ligj apo kontratë e publikuar nuk përcakton me saktësi e nuk kufizon shprehimisht mënyrën e përdorimit të këtyre videove në të ardhmen, disiplinim, vlerësim sjelljeje, apo qëllime që s'kanë lidhje fare me arsimin.

Pronësia

Kompania që e mban sistemin nuk i përgjigjet një prindi shqiptar

Presight AI/G42 është kompani e huaj, nën shqyrtim ndërkombëtar për transparencë. Nëse diçka shkon keq me të dhënat e fëmijës, s'ka rrugë të qartë ankimimi kundrejt kompanisë që i mban ato.

Papërgjegjshmëria

Policia s'ka detyrim të tregojë si i përdor të dhënat

Nuk dihet publikisht sa kohë ruhen videot, kush ka akses, apo nëse ka mbikëqyrje të pavarur. Pa transparencë, "siguria" bëhet një kuti e zezë që askush s'e kontrollon.

Çfarë mund të bësh si prind

  • Kërko me shkrim nga shkolla e fëmijës kontratën dhe rregulloren e përdorimit të kamerave.
  • Pyet drejtorinë arsimore vendore nëse është kryer vlerësim ndikimi mbi privatësinë (DPIA).
  • Kontakto Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (IDP) për të raportuar shqetësimin.
  • Bashkohu me prindër të tjerë, një kërkesë kolektive nga këshilli i prindërve ka më shumë peshë se një kërkesë individuale.

Harta e instalimit

Ku vendosen kamerat

20 shkolla publike, sipas listës së siguruar nga A2 CNN (6 prill 2026). Numri tregon kamerat "Smart City" të parashikuara për çdo shkollë.

Burimi: A2 CNN, 6 prill 2026 Menaxhim: Policia e Shtetit Zbatues: Presight AI (G42)

Konteksti

Si erdhi deri këtu

Në tetor 2024, 14-vjeçari Martin Cani u vra nga një bashkëmoshatar te shkolla "Fan Noli" në Tiranë. Ngjarja shkaktoi mbylljen për një vit të TikTok-ut dhe hodhi themelet e idesë për kamera inteligjente në shkolla.

Më 6 prill 2026, A2 CNN zbuloi se projekti kishte nisur zbatimin: 375 kamera "Smart City" në 9 shkolla të mesme dhe 11 shkolla 9-vjeçare të qarkut të Tiranës. Gjimnazi "Qemal Stafa" do të ketë numrin më të lartë, 31 kamera, ndjekur nga "Karl Gega" me 30 dhe "Avni Rustemi" me 24.

Projekti nuk kufizohet te shkollat. Synohet një rrjet kombëtar prej mbi 5,000 kamerash inteligjente në rrugë e qytete, plus 3,000 kamera trupi për efektivët e Policisë së Shtetit, një infrastrukturë survejimi në shkallë kombëtare, e menaxhuar nga një kompani e huaj.

Zbatues i projektit është Presight AI, pjesë e grupit G42 me bazë në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pika të pazgjidhura

Çfarë kërkon përgjigje publike

Policia e Shtetit nuk ka historik apo ekspertizë të njohur publikisht në menaxhimin e infrastrukturës AI në këtë shkallë. Këto janë pyetjet minimale që duhen sqaruar përpara se sistemi të vihet plotësisht në funksionim.

Kush e ndërton sistemin?

Presight AI / G42 - dosja e kompanisë

Kompania zbatuese është nën shqyrtim të vazhdueshëm ndërkombëtar për transparencën e qeverisjes së të dhënave dhe lidhjet me palë të treta.

Lidhjet me Kinën

G42, kompania mëmë e Presight, ka hapur filiale në Kinë. Drejtori i saj i investimeve ka qenë më parë drejtor operacional i një firme kineze AI të sanksionuar nga SHBA më 2019 për ndihmesë ndaj survejimit të popullsisë ujgure.

Burimi: The Wire China

Shqyrtim nga Kongresi i SHBA

Në janar 2024, kryetari i Komitetit të Kongresit për Partinë Komuniste Kineze kërkoi hetim zyrtar mbi G42 për rreziqe kontrolli eksporti, për shkak të lidhjeve me kompani ushtarake kineze dhe entitete të sanksionuara si Huawei.

Burimi: House Select Committee on the CCP

Survejim i dokumentuar te COP28

Në samitin COP28 në Dubai, mbi 12,000 kamera të G42/Presight monitoronin zonën e samitit. Kompania është akuzuar edhe se mund të ketë mbledhur fshehurazi material gjenetik nga qytetarë amerikanë për llogari të qeverisë kineze.

Burimi: Euronews

Reagimi i partnerëve amerikanë

Pas presionit nga ligjvënësit amerikanë, Microsoft e kufizoi marrëveshjen e saj me G42 vetëm në qira produktesh AI, duke hequr transferimin e teknologjisë së ndjeshme.

Burimi: FDD

Verifikim

Burimet

  1. A2 CNN — "Smart City hyn në gjimnaze dhe 9-vjeçare, 375 kamera inteligjente në 20 shkolla në qarkun e Tiranës", 6 prill 2026.
  2. The Wire China — "G42's Ties To China Run Deep", dhjetor 2023.
  3. House Select Committee on the CCP — letër drejtuar Sekretares së Tregtisë të SHBA, janar 2024.
  4. Euronews — "At COP28, 12,000 surveillance cameras are causing concerns about civil liberties", dhjetor 2023.
  5. Foundation for Defense of Democracies (FDD) — "To Beat China, America Must Balance AI Innovation with National Security", prill 2025.